Teknologji

Kujdes me fotot, mund t’ju vidhen gjurmët e gishtërinjve, paralajmërojnë ekspertët

Ekspertët e teknologjisë po tërheqin vëmendjen ndaj një rreziku të mundshëm që lidhet me publikimin e fotografive në rrjetet sociale. Sipas tyre, edhe një selfie e zakonshme mund të zbulojë detaje të ndjeshme biometrike, përfshirë gjurmët e gishtërinjve.

Rreziku bëhet më i madh kur duart ose majat e gishtërinjve shfaqen qartë dhe nga afër në fotografi. Zhvillimi i kamerave me rezolucion të lartë dhe përdorimi i inteligjencës artificiale për përmirësimin e imazheve po e bëjnë më të lehtë nxjerrjen e detajeve që më parë ishin të vështira për t’u dalluar.

Së fundmi, specialistë në Kinë kanë demonstruar se si, në rrethana të caktuara, mund të analizohen fotografi të zakonshme për të identifikuar karakteristika biometrike të personave të fotografuar.

Ndryshe nga fjalëkalimet, gjurmët e gishtërinjve nuk mund të ndryshohen nëse bien në duar të gabuara. Ato përdoren gjerësisht për zhbllokimin e telefonave, aplikacionet bankare dhe sisteme të ndryshme autentifikimi.

Për të reduktuar rrezikun, ekspertët rekomandojnë shmangien e publikimit të fotografive ku majat e gishtërinjve duken qartë nga afër, si dhe përdorimin e metodave shtesë të sigurisë, si identifikimi me fytyrë dhe verifikimi shumëfaktorësh për llogaritë e rëndësishme.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button