Dronë që shpëtojnë jetë? Ja çfarë po planifikohet për Botërorin 2026

Kupa e Botës 2026 pritet të jetë një nga ngjarjet sportive më të avancuara teknologjikisht deri më sot. Përveç spektaklit në fushë, organizatorët kanë planifikuar përdorimin e dronëve të specializuar për të përmirësuar sigurinë dhe reagimin ndaj emergjencave në stadiume.
Këto pajisje fluturuese do të shërbejnë si njësi të shpejta të ndihmës së parë, duke transportuar pajisje mjekësore jetike tek tifozët që mund të përballen me probleme shëndetësore gjatë ndeshjeve.

Dronët do të jenë të pajisur me defibrilatorë, EpiPen, komplete të ndihmës së shpejtë dhe mjete komunikimi, duke mundësuar ndërhyrje më të shpejtë deri në mbërritjen e ekipeve mjekësore në vendngjarje.
Sistemi do të vendoset në stadiumet e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës, me synimin që koha e reagimit në raste emergjente të reduktohet në minimum.
Për sigurinë ajrore do të kujdeset kompania Motorola Solutions përmes dronëve “Guardian”, ndërsa teknologji shtesë do të përdoren për të identifikuar dhe neutralizuar dronët e paautorizuar që mund të paraqesin rrezik gjatë zhvillimit të ndeshjeve.
Organizatorët besojnë se kjo qasje moderne mund të bëjë diferencën në situata kritike, duke ofruar ndihmë të menjëhershme dhe duke rritur nivelin e sigurisë për miliona tifozë që pritet të ndjekin nga afër Botërorin 2026.



