
Omar Zogaj ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm me grupmoshën U15 të FC Malishevës, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës. Futbollisti 15-vjeçar ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e tij të vazhdueshme dhe kontributin e madh në repartin ofensiv.
Edhe pse pozita e tij kryesore është sulmues krahu, Zogaj mund të luajë me sukses në të gjitha pozicionet. Gjatë këtij sezoni, ai ka realizuar 9 gola dhe ka dhuruar 6 asistime, duke qenë një nga lojtarët kyç të ekipit.

Talenti i tij ishte vlerësuar edhe më herët, pasi vitin e kaluar ishte pjesë e seleksionimeve të Kombëtares U15. Ndërkohë, paraqitjet e tij të fundit kanë bërë që ai të jetë në syrin e shumë agjentëve dhe vëzhguesve të futbollit, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimin e një prej talenteve më premtuese të FC Malishevës.
Me potencialin që posedon dhe ritmin e zhvillimit që po tregon, Omar Zogaj shihet si një emër me perspektivë të madhe për të ardhmen.



