
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë që kanë komentuar aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Çitaku ka thënë se vendimi i Speciales nuk është i pranueshëm.
“Paskan filluar të reagojnë aleatët historikë të Hashim Thaçit. Ata me të cilët ai punoi që nga dita e parë. Ata me të cilët, bashkë, arritëm shumë suksese e momente historike. E tash paskan filluar të na thonë: pranojeni vendimin, sepse ka apel…Faleminderit shumë. Për ju, ndoshta Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë vetëm njerëz me të cilët, në një moment të caktuar të historisë, keni bashkëpunuar. Njerëz që dikur i keni vlerësuar e lartësuar, aq sa Hashim Thaçin e keni krahasuar edhe me George Washingtonin.”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se katërshja e UÇK-së janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës.
“Për ne, nuk janë thjesht personazhe të një kapitulli të kaluar. Për ne, ata janë pjesë e historisë sonë. Janë pjesë e themeleve mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Janë njerëzit me të cilët lidhet një prej kapitujve më të rëndësishëm të lirisë së Kosovës. Prandaj, shumë faleminderit për këshillat. Por jo. Ne nuk e pranojmë këtë vendim. Do ta kundërshtojmë. Do të rezistojmë. Deri në fund. Deri në liri.”, ka shkruar ajo.



