LajmePolitikë

NATO: Angazhimi për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur

NATO ka rikonfirmuar se angazhiimi për sigurinë në Kosovë mbetet “i palëkundur”, duke theksuar se misioni paqeruajtës i saj, KFOR është i gatshëm t’iu përgjigjet “një sërë skenarësh të sigurisë”.

Pas takimit të komandantit të KFOR-it, Ozgan Ulutash me Këshillin e Atlantikut të Veriut, aleanca tha se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për të.

“Angazhimi i aleancës për të mbështetur sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur”, tha NATO-ja.

Aleanca ushtarake perëndimore tha se Ulutash njoftoi Këshillin për përpjekjet e KFOR-it.

“Ai ndau gjithashtu pikëpamjet e tij për përpjekjet e vazhdueshme për të optimizuar dislokimin e KFOR-it, proces që vjen si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë. Procesi i optimizimit synon të sigurojë që misioni të mbetet i aftë për përmbushjen e detyrës. Ai bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, nëse zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë një gjë të tillë”, u tha në njoftimin e aleancës ushtarake perëndimore.

Për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në terren, më herët NATO-ja ka njoftuar se do të zvogëlojë praninë e saj në Kosovë, por ka paralajmëruar se vendimi mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button