Lajme

Pagat mesatare në të gjithë Evropën: Vendet me pagat më të larta dhe më të ulëta

Një raport i ri i OECD-së për vitin 2026, i analizuar nga Euronews Business, tregon dallime të mëdha në pagat mesatare vjetore në Evropë, si në vlerë nominale ashtu edhe në fuqinë reale blerëse të qytetarëve.

Sipas të dhënave, Zvicra mban vendin e parë me pagë mesatare bruto prej 107,487 euro në vit, duke qenë i vetmi shtet evropian që kalon pragun prej 100 mijë eurosh. Pas saj renditen Islanda me 85,950 euro dhe Luksemburgu me 77,844 euro, i cili njëkohësisht kryeson vendet e Bashkimit Evropian.

Në pesëshen e vendeve me pagat më të larta përfshihen edhe Danimarka me 71,961 euro dhe Holanda me 69,028 euro, ndërsa Norvegjia qëndron afër tyre me 68,420 euro.

Nga ekonomitë më të mëdha të Evropës, Gjermania ka pagën më të lartë mesatare me 66,700 euro, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar me 65,340 euro. Franca regjistron 45,964 euro, Italia 36,594 euro, ndërsa Spanja 32,678 euro.

Në anën tjetër të listës, Turqia rezulton me pagën më të ulët mesatare bruto vjetore, vetëm 18,590 euro. Brenda Bashkimit Evropian, vendi me pagën më të ulët është Sllovakia me 19,590 euro. Nën pragun prej 30 mijë eurosh renditen edhe Hungaria, Letonia, Çekia, Portugalia, Polonia, Estonia, Greqia dhe Lituania.

Raporti thekson se diferencat në paga lidhen kryesisht me produktivitetin ekonomik, strukturën e tregut të punës, fuqinë e sindikatave dhe koston e jetesës në secilin shtet.

Kur llogaritet fuqia blerëse, hendeku mes vendeve zvogëlohet dukshëm. Në këtë renditje, Zvicra mbetet në krye me 106,532 dollarë, ndërsa Gjermania ngjitet në vendin e dytë me 93,985 dollarë, përpara Luksemburgut dhe Holandës.

Turqia shënon ngritjen më të madhe në krahasimin e fuqisë blerëse, duke kaluar nga vendi i fundit në të 18-in, ndërsa Islanda dhe Estonia regjistrojnë rëniet më të mëdha në renditje.

Raporti sqaron se të dhënat bazohen në pagat e punëtorëve me orar të plotë në sektorë si industria, ndërtimtaria, financat, transporti dhe shërbimet biznesore, ndërsa nuk përfshijnë bujqësinë, arsimin, shëndetësinë dhe administratën publike.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button