
Dr. Ardian Shala ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me debatet e fundit pas rezultatit zgjedhor, duke shprehur mbështetjen e tij për kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në reagimin e publikuar, Shala ka vlerësuar se kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut janë të nxituara dhe nuk përkojnë me traditën e LDK-së, e cila sipas tij gjithmonë është karakterizuar nga maturia politike dhe përgjegjësia institucionale.
Ai ka theksuar se Kosova ka kaluar nëpër tri procese zgjedhore nacionale brenda një periudhe të shkurtër dhe se vendi aktualisht po përballet me një krizë institucionale, duke shtuar se në rrethana të tilla nevojitet stabilitet dhe jo vendime të marra nën ndikimin e emocioneve.
Përmes postimit të tij në Facebook, Shala ka bërë thirrje për ruajtjen e unitetit dhe maturisë politike, duke theksuar se LDK-ja historikisht ka vepruar me përgjegjësi shtetërore dhe ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të vendit.
“Prandaj, le të shmangim gjykimet e nxituara, të ruajmë unitetin dhe maturinë politike, dhe t’i qasemi çdo vlerësimi me përgjegjësi, dinjitet dhe interes shtetëror”, ka shkruar Shala në reagimin e tij.



