Showbiz

Anulohet koncerti i Yll Limanit në Suedi, reagojnë organizatorët: Rrethana jashtë kontrollit tonë

Koncerti i këngëtarit të njohur kosovar, Yll Limani, i paraparë të mbahej në Malmö të Suedisë si pjesë e turneut ndërkombëtar për vitin 2026, nuk do të zhvillohet.

Lajmi është bërë i ditur nga ekipi organizativ, i cili përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se eventi është anuluar për shkak të rrethanave që nuk varen nga organizatorët.

Ata kanë shprehur keqardhjen për situatën e krijuar, duke theksuar se janë të vetëdijshëm për pritjet e mëdha të publikut dhe për planet që shumë fansa kishin bërë për të marrë pjesë në koncert.

Sipas organizatorëve, vendimi është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha rrethanave, me qëllim që të ruhet standardi i eventit dhe të përmbushen pritshmëritë e publikut dhe artistit.

Në ditët e ardhshme pritet të publikohen detaje shtesë lidhur me rimbursimin e biletave, si dhe informacione rreth mundësisë së caktimit të një date të re për koncertin.

Koncerti në Malmö ishte planifikuar të ishte një nga ndalesat e para të turneut të Yll Limanit, ndaj anulimi ka sjellë zhgënjim te shumë fansa që kishin siguruar tashmë biletat për këtë mbrëmje muzikore.

Organizatorët falënderuan publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke premtuar se do të njoftojnë së shpejti për hapat e mëtejshëm.

Back to top button