Lajme

Kokaina po bëhet problem serioz në Zvicër – këta punëtorë janë më të ekspozuarit!

Kokaina po vazhdon të fitojë terren në Zvicër, duke u renditur ndër substancat ilegale më të përdorura në vend. Sipas raportimeve të mediave zvicerane, konsumi i saj është rritur vazhdimisht gjatë dy dekadave të fundit, me një përshpejtim të dukshëm pas vitit 2015.

Të dhënat e bazuara në analizat e ujërave të zeza tregojnë se niveli i konsumit në shumë qytete zvicerane është më i lartë se në një numër metropolesh të mëdha evropiane.

Një hulumtim i publikuar nga organizata “Sucht Schweiz” ka hedhur dritë mbi profesionet ku përdorimi i kokainës është më i përhapur. Sipas studimit, sektori i gastronomisë qëndron në krye të listës, kryesisht për shkak të orareve të zgjatura, punës së natës dhe stresit të vazhdueshëm. Pas tij vjen sektori i ndërtimtarisë, ku lodhja fizike dhe presioni në vendin e punës konsiderohen faktorë të rëndësishëm.

Në mesin e profesioneve me konsum më të lartë të kësaj substance përfshihen edhe fusha si arti dhe argëtimi, transporti rrugor, ekonomia dhe financat, profesioni juridik, si dhe sektori i teknologjisë së informacionit.

Ekspertët shprehen të shqetësuar se përdorimi i drogës po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm për disa punonjës, të cilët e shohin atë si një mënyrë për të përballuar ritmin e lartë të punës, për të qëndruar zgjuar për periudha më të gjata ose për të rritur vetëbesimin.

Studimi tregon gjithashtu se grupmosha më e prekur është ajo nga 18 deri në 34 vjeç. Një tjetër gjetje interesante është se një pjesë e madhe e përdoruesve të rregullt janë persona me arsimim të lartë dhe kualifikime profesionale, gjë që ka surprizuar studiuesit që merren me çështjet e varësisë.

Artikuj të ngjashëm

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button