
Detaje të rënda janë përfshirë në dosjen e Prokurorisë për Fatmir Shehollin, ku përshkruhet një projekt i Serbisë për dëmtimin e Kosovës përmes nxitjes dhe financimit të radikalizmit islamik.
Në pjesët e dosjes thuhet se xhamitë duhej të ndërtoheshin në vende sa më të dukshme, pranë autostradave, shkollave dhe qendrave tregtare, ndërsa në fshatrat e mëdha numri i tyre duhej të dyfishohej apo trefishohej.
“Pranë xhamive, shkollat islamike (medresetë) duhet të shtrihen në të gjithë vendin”, thuhet në material, ku përmenden Mitrovica, Vushtrria, Hani i Elezit, Kaçaniku, Dragashi dhe Prizreni.

Sipas pjesës së dosjes, objektivi afatgjatë ishte që Kosova të paraqitej para Perëndimit si një vend i radikalizuar.
“Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perëndimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën”, thuhet ndër të tjera në dokument.
Më tej, në dosje përshkruhet një skenar sipas të cilit një imazh i tillë i Kosovës do të krijonte rrethana për rikthimin e saj nën juridiksionin e Serbisë, ndërsa më pas do të nxitej largimi i shqiptarëve drejt Turqisë përmes punësimit dhe ofertave me kushte të favorshme.
Këto pjesë janë marrë nga dosja e Prokurorisë për Fatmir Shehollin dhe paraqesin përmbajtjen e dokumentacionit të përfshirë në të.



