Lajme

Bashkimi Evropian: Situata në Gaza vazhdon të jetë e tmerrshme

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të madh për gjendjen humanitare në Gaza, duke paralajmëruar se kriza atje nuk duhet të harrohet nga komuniteti ndërkombëtar.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova, deklaroi se situata në enklavë vazhdon të jetë shumë serioze, ndërsa ndihma humanitare që po hyn në Gaza mbetet e pamjaftueshme dhe nuk arrin në mënyrë të barabartë te qytetarët që kanë më shumë nevojë.

Sipas saj, mungesa e ushqimit dhe furnizimeve bazë po ndikon rëndë te popullsia civile, veçanërisht te fëmijët, ku rastet e kequshqyerjes akute vazhdojnë të jenë shqetësuese. Ajo theksoi se edhe pse uria ekstreme ishte frenuar gjatë vitit 2025, rreziku për rikthimin e saj mbetet ende prezent.

BE-ja ka ngritur shqetësime edhe për kushtet sanitare dhe sistemin shëndetësor në Gaza. Hrncirova tha se shumë spitale nuk kanë pajisjet bazë për trajtim, ndërsa mungesa e shërbimeve për grumbullimin e mbeturinave po krijon probleme serioze higjienike.

Ajo shtoi se disa pajisje mjekësore nuk lejohen të hyjnë në Gaza për shkak të klasifikimit si mallra me përdorim të dyfishtë, duke bërë që pacientët të mbeten pa trajtimet e nevojshme.

Sipas Komisionit Evropian, zhvillimet e fundit tregojnë nevojën për reforma në mekanizmat ndërkombëtarë të ndihmës humanitare.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button