Rama për protestuesit: Po dëmtojnë turizmin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat po japin në sektorin e turizmit, duke paralajmëruar se anulimet e rezervimeve nga turistët e huaj po kthehen në një problem serioz për ekonominë e vendit.
Në podcastin “Flasim”, Rama tha se ka marrë mesazhe të shumta nga operatorë turistikë, të cilët raportojnë anulime rezervimesh për sezonin veror. Sipas tij, kjo situatë po prek drejtpërdrejt bizneset lokale, ekonominë familjare dhe të ardhurat që vendi përfiton nga turizmi.
“Këto shënime dua t’i nis me një reflektim parathënës lidhur me disa simptoma, të cilat më shqetësojnë dhe duhet të shqetësojnë këdo që është i interesuar që gjërat të shkojnë më mirë në Shqipëri, jo të shkojnë më keq.
Dhe besoj që edhe ndër ata që protestojnë, një pjesë duan që gjërat në Shqipëri të shkojnë më mirë dhe janë sinqerisht shqetësuar për si do të shkojë zhvillimi i investimit në Zvërnec. Ndërkohë që një pjesë tjetër, pjesa dominante, nuk është se nuk duan që gjërat të shkojnë më mirë, absolutisht, por, ashtu siç ata duan që të shkojnë gjërat, më e keqja vjen për Shqipërinë.
Dhe këtu kam parasysh ato partitë e vogla, që mbetën të vogla apo që u bënë të vjetra. Këtu kam parasysh, prurjet që vijnë nga territore të tjera, se çfarë lidhje kanë ata me këtë temë, që ka të bëjë me Vlorën dhe që vetëm në Vlorë nuk ka shkaktuar asnjë lloj proteste, sepse Vlora masivisht atje e do zhvillimin, kjo është një pikëpyetje të cilës unë nuk dua t’ia jap përgjigjen, por do ta lë pikëpyetje.
Dhe, duke shkuar në Vlorë, dua të ndalem tek një simptomë shumë problematike, e cila po forcohet dita-ditës: anulimet e rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj.
Kam marrë shumë mesazhe, por natyrisht që unë nuk mund të dal dhe ta përdor këtë që të thuhet: “Do të ndalosh protestën se t’u dogj shpirti për hotelet?!”. Por, nga ana tjetër, nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese.
Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe për ekonominë kombëtare në tërësi.



